Berati mes dy Çorrostenve
BERAT – Duke shfletuar Ditarin Elektronik të publicistit dhe studiuesit Simon Vrusho, has larmi temash, këndvështrimesh, interesash, por mbi të gjitha të bie në sy shija e tij gjuhësore, kujdesi për detajin, imazhin që krijon fjala apo shprehja, paradoksi, nënteksti, antiteza apo edhe kontrasti… Pjesë e pasionit dhe vokacionit të tij janë dhe eksplorimet në viset rreth Beratit, nga krahina e vendlindjes, Shpiragu në perëndim, apo edhe e zonës epike përballë, Tomorit në lindje, Tërpani me malet e Plashnikut në jug apo Lapardhaja dhe Lumasi nga veriu. Nga ky ditar kam zgjedhur fragmente që lidhen me dy Çorrostenët, me dy Shkëmbinj Bletësh dhe me fanitje, ngjarje, persona dhe personazhe, mjedise pak ose aspak të njohura që mbarin brenda modestisë së jashtmë një bërthamë vibruese, që joshin si vendasit, si turistët, por rruga duhet bërë, duhet nisur……Zbulim përbën Përroi i Çorrostenit, një mikrokanion i gdhendur në gur gëlqeror që dora mjeshtërore e kokës dhe e ujit e ka shndërruar në mermer, një grykë që ia vlen ta eksplorosh për’rreth 2 km, nga pikë takimi i Përroit të Malit të Bardhë me atë të Mbolanit, pikërisht aty ku zë fill dalta e ‘skulptorit’ ujor në përpunimin e këtij afresku me dritë guri… ..Një atraksion turistik i vërtetë, i cili në këtë itinerar ka vetëm nja 2-3 pika të vështira për të zbritur, që duan një trajtim, për të qenë lehtësisht të kalueshëm… E gjith pjesa tjetër është një tunel i bardhë e i gjelbër, tunel mermeror me freski dhe puhizë, që kërkon një pulovër të lehtë edhe në korrik, ndonëse lartësia mbi nivelin e detit nuk është veçse 50 m …. Adrenalina e kënaqësisë- e lartë, edhe nga legjendat, gojëdhënat, fanitjet e fanepsjet e këtij mjedisi unik, ende i paprekur, si e ka bërë natyra e koha, prej miliona vjetësh…
Katedralja e Kuqërremtë e Çorrostenit…………….!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!.
Po, edhe me armë e kanë qëlluar Shkëmbin e Bletës së Çorrostenit, thotë agronom Qemal Bendo, specialist i arrorëve, e kanë qëlluar me armë, me pushkë, me belçik, por mjaltë nuk kanë ngrënë dot… sepse, siç thonë……….. ato bletë mbrohen nga xhindet… Po, tek Shkëmbi i Bletës ne jemi strehuar në qershor 1944. Isha fëmijë… Të shkosh tek Shkëmbi i Bletës, nuk është e lehtë…Të shkosh drejt Shkëmbit të Bletës, Shkëmbit të Çorrostenit janë disa rrugë, nga ana e Gjerovenit, pasi ke ecuar një copë herë në Përruan e Çorrostenit apo nga ana e fshatit Veleshnje ku duhet të lësh gjurmët e tua në një rrugë të ngushtë ku nja 3-4 orë më parë aty kanë kaluar derri i egër apo ujku, apo dhelpra… Gjurmat e tyre të freskëta e dëshmojnë këtë… Por të presin edhe manushaqet e porsaçeluar të fillim marsit… Puplat e mëllenjave apo dhe të ndinjë pëllumbi të egër apo thëllëze të dëftejnë se me se janë vetëgostitur mbrëmë gjeraqina apo skifterët … Dhe pastaj, si në tehun e një thike, zbret thikë në Përruan e Çorrostenit… Ec… Gur i bardhë, i lëmuar, me reflekse mermeri, sikur ‘Skulptor’ Uji po gdhend një gjerdan statujash… gjithë dritë, lëmim, butësi, meditim,
derisa, befas pa e kuptuar do të gjendesh poshtë Katedrales së Kuqërremtë të Mjaltit, të Bletës… Masivi Shkëmbor i Çorrostenit…eeeehhhhhhhhhhhh, çkënaqësi e pa zakont. Katedralja e Kuqërremtë e Çorrostenit… Pamje që shihet, nuk përshkruhet dot…
Çorrosten, përroi – kanion ku pikohet mjaltë…
Po, thonë, – në korrik, kur nxehet vapa, nga muri i madh dhe tepër i lartë, hojet bymehen dhe nga zgjojet natyrorë, shkëmborë pikohet mjaltë, drejt e në përrua, një përrua nazik, disi diskret në zbritjen e tij në fushë, ku takohet me lumin e Molishtit, pak më poshtë Mullirit të Pashait, për t’u kthyer më tej, të dy bashkë, në lumin e Velabishtit. Ky përrua mbart kanione të njëanshme, nga krahu i veriut, hapur plotësisht ndaj diellit dhe jugut, mur masiv shkëmbinjsh bojë okrre, bojë mjalti, në gjatësi qindra metërshe dhe lartësi dhjetra metërshe, me breza guri ciklopikë të shndërruar në faqe muri nga nëna natyrë…
Lart, në lartësinë marramendëse, të frikshme, gjendet brezi i zgjojeve të bletëve, brenda shkëmbinjve… Bletët zukasin, roitin e roiten, zbresin si re të ulëta për të pirë ujë në përrua, ujë që vjen direkt nga Uji i Ftohtë i Malit të Bardhë… brenda këtij shkëmbi gjigand, këtij përroj me ujë të kthjellët e të akullt edhe në ditët më të nxehta të korrikut vjen dhe një legjendë apo histori që gojdhëna popullore e ka siell deri në ditët tona.
Thonë se disa guximtepruar, guxuan nga lart të vareshin me litarë mbi atë masiv shkëmbor-muror, me qëllim që me disa thika të gjata, si tip hanxharësh, të prisnin hojet në thellësi e të vilnin mjaltin… Por…………
Prishen mendsh dhe… në vend që të prisnin hojet, presin litarët…
Thonë se këtë mur shkëmbor bojëmjalti guxuan ta shkelnin edhe bullgarët 1000 vjet më parë… Po në vend të murit të mjaltit gjetën aty murin e zi, prandaj edhe kanë lënë emërtimin e tyre, si dëshmi: Muri i zi… Çorrosten… Çjornoje stena…
Prenë litarët, jo hojet… Mos vallë, mesazhi është i thjeshtë, i qartë: Nuk mjaftojnë mjetet e zakonshme për të arritur caqe të jashtëzakonshme?!…
Nuk disponohen foto të Çorrostenit-mur-shkëmbor, sepse është edhe larg, edhe vend pa rrugë, por vetëm mund të soditet nga larg, nga ana e Veleshnjes, nga e Gurgozhdës…Dy fotot modeste , të pjeshme i përkasin shkrepjeve të Tiku Senkos. Duhet shkuar atje, tek vendi, tek hija e rëndë…
Si mund të trembet një komunist nga një Bletë ?![]()
Isha 18 vjeç dhe ishte viti 1948, rrëfen Nazmi Starova. Më duhej qereste për kasolle, kur banoja në Starovë. Mora spatën, bukën e drekës, i hipa mushkës dhe shkova në Çorrosten, mbi mullirin e Shabanit, drejt pjesës më të dendur të pyllit, përballë Shkëmbit të Bletës, siç njihet Shkëmbi i Çorrostenit, por i thonë edhe Bleta e Shkëmbit. E lashë mushkën në një lirishtë, mora spatën dhe fillova të pres një frashër. Godita një herë, dy …. Nuk godita dot për herë të tretë, sepse m’u turrën bletët, sikur të roitnin, tufë, sepse bleta dëgjon shumë dhe nuk e duron dot zhurmën, nuk e duron goditjen… Ç’të bëja ?. Nuk dija ku të futesha, ku të fshihesha. U turra përroit, tek një si vaskë natyrore uji… Shpëtova unë, por bletët iu turrën mushkës, e cila e mbajti vrapin në Starovë, në Berat, 7 km larg, duke më lënë në mëshirën e bletëve… Vazhdova përroit duke u spërkatur me ujë si ata kalamajtë, derisa dola nga zona e rrezikut, kur më sheh një çorrostenas, Xhinshja: “Po ti ku vete, mor i uruar ?. Nuk e di ti që kjo është zonë e ndaluar ?. Po aty banojnë xhindet. Shkëmbi i Bletës, thonë, Shkëmbi i Çorrostenit, por ai është Shkëmbi i xhindeve.”
Kur e mori vesh se ç’më kishte ndodhur, u shqetësua si im atë, si ime ëm, madje nëna filloi nga nomatisjet, bestytnitë, që të largonin xhindet që mund të më ishin vënë pas… Edhe unë u shqetësova, të them të vërtetën, por nuk e dhashë veten, sepse sa kisha ardhur nga aksioni në hekurudhë dhe isha pranuar dhe anëtar partie, pra isha komunist hekurudhe unë dhe duhet të tregoja kujdes, sepse si mund të trembet një komunist nga një bletë ? Zonë e ndaluar, zona e xhindeve. Eh, si thotë ajo kënga e zonës sonë “Xhinde mushka! Xhinde vetë!…” Zonë e ndaluar. Shpëtova paq, megjithëse dy copa dru për qereste do merrja, por mendo t’u merrje atyre bletëve një copë mjalti nga hojet e shkëmbit? Zonë e ndaluar nga toka, nga përroi, kurse nga lart, nga qielli, super e ndaluar. Thoshin se ata që kishin guxuar të vareshin me litar nga lart, nga shkëmbinjtë e sipërm, sa kishin zgjatur thikën drejt zgjojeve të shkëmbit, litarët iu kthyen në gjarpërinj, ata i prenë gjarpërinjtë dhe…
Jam 87 tani, por, që nga ’48-ta, në Çorrosten, tek shkëmbi i bletës nuk kam shkelur më.
Shkëmb Blete, por edhe shkëmb Zhgabonje – Shkëmbi i Kapinovës…![]()
Arben Hada thotë se me intrigon emertimi Çorrosten . I njejti emertim dhe ambient, pothuaj, gjendet edhe në Kapinovë, në atë vend që quhet Çorrostene ku gjendet dhe një shkemb gjigand qe e ka emrin “Shkëmbi i Bletës”. Berati me dy Çorrostenë, mes dy Shkëmbinj Blete, zgjoje shkëmbore: Fragment nga Çorrosteni, Kapinovë, Berat.
Shkëmbi i Bletës i Kapinovës, -thotë mësuesi Bilbil Hoxha, kapinovas, ndodhet 2 km larg fshatit Kapinovë, në veri të tij, duke pasur përballë në veri tokat me emrin Çorrosten, toka të fshatarëve të Kapinovës, toka këto në kufirin ndarës me fshatin Lybeshë. Shkëmbi ngrihet në largësi 100 metra me Çorrostenin e parë dhe 500 metra me Çorrostenin tjeter, sepse jane dy çorrostene, që ndahen prej një përroi të madh në mes. Jane rreth dy hektarë tokë, pra, 20 dynymë. Nuk dihet nëse dikur ka pasur këtu afër ndonjë lagje me emrin Çorrosten.
Shkëmbi i bletës është mbi 300 meta i gjatë dhe 100 metra i lartë. Ka kombinime ngjyrash të ndryshme, si: gri në blu dhe ngjyrë të kuqerremtë, si bojë mjalti. Formacioni shkëmbor është i tipit të malit Tomor, bazalt. Në shkëmb spikasin ballkone të vogla ku qëndrojnë zogj, shpendë të ndryshëm, si: shqiponja, pëllumba të egër, dallëndyshe në pranverë-verë, si dhe specie të ndryshme shpendësh malorë. Shkëmbi dallohet edhe për bimësinë në pjesët e larta të tij, si: frashër, pisha të imta, etj. Nga tregimet e tim eti, sot 76 vjeç, bazuar në rrëfimet e gjyshit, ai thotë se në pjesët e sipërme ka zgarbuaj, zgërbonja shkëmbore, të çara shkëmbinjsh me hapësira brenda për instalim bletësh, ku jetonin bletë të shumta në gjendje të lirë, që dhe prodhonin mjaft mjaltë, por thonë se nga pakujdesia apo nga disa sjellje të papërgjegjshme të disa njerëzve, bletët u larguan, se këtu, tek këta shkëbinj nuk ka pasur “xhinde” mbrojtë si në rastin e Çorrostenit të Veleshnjes apo të Mbolanit…Në rrethinat e shkëmbit ka dhe shpella të shumta ku barinjtë e fshatit, pushojnë apo mërzejne bagëtinë në kohë vape, kurse në rrëzë të shkëmbit gjendet dhe burimi i quajtur “Burimi i Shkëmbit të Bletës”, ujëftohtë… Shkëmbi është rreth 1 km larg malit. Ne, kapinovasit, vemi shpesh tek ky Shkëmb, sepse ka natyrë sa tërheqëse, aq dhe të qetë, si dhe ajër të lehtë… Riza Jaupi, që e ka frekuentuar shpesh me piknike Shkëmbin e Çorrostenit të Kapinovës, Shkëmbin e Bletës atje, thotë se atje gurgullon ujë i ftohtë, rrjedh raki dhe pikon mjaltë… Po të duash dëborë, mjafton të zgjasësh dorën dhe ajo do të ftohet në Tomor…
Përmes Përroit të Çorrostenit…
Mars 2017. Përroi i Çorrostenit, që buron nga vendlindja ime, Mali i Bardhë, Velçan, thuajse i pashkelur, Veleshnje, Berat, në shkrepjen e desinger Klidjon, citon në coprat e shkrimeve Vrusho.Do ishte mrekulli,- thotë Sotir Shuka nga Amerika, – të hapej nje pikë turistike aty… Kështu mendon edhe Hyrie Saraci nga Amerika, etj. Arben Hada thotë se uji gur nuk është, por gurin e modelon, vendin ku ai shkon gjithmonë e transformon. Modeluesi më i mirë natyror. Shumë interesant ky informacjon, thotë Koco Mosko. Edhe unë kam dijeni për të tilla formacione shkëmbore me bletë. “Natyra çdo gjë e ka të përsosur, gabimet qëndrojnë në anën tonë.” thotë Gëte. Lavdush Ferruni nga Vlora mendon se ky Përrua, ecja nëpër të, i pa promovuar për turizëm natyror, do të ishtë një atraksion turistik i vërtetë… Pa le të keshë fatin të të pikonte ndonjë pikë mjaltë.
Mullinj dhe ullinj dhe Jabanxhinj
Me fener ndezur, rënkon vendi……………!!!!!!!!!!!!!!!!!!
Syrja Vreko dhe Fatos Hamzai, i pari nga Molishti, i dyti nga Gjeroveni, por po u shtytëm pak më tej, i dyti na vjen nga Buzi, por po u shtytëm pak më larg në kohë, edhe i pari nga fshatrat e Tepelenës na vjen. I takoj në Çorrosten, por të takosh Syrjanë, do të thotë të takosh të gjithë mullinjtë e zonës, me të gjithë jazet dhe avazet e tyre…![]()
Ja, këtu ku jemi ne, – fillon Syrja Vreko, ka qenë një mulli me dy jaze, njëri që vinte nga Gryka e Veleshnjes, tjetri nga Gryka e Çorrostenit. Këtë këtu e kanë quajtur dhe Mulliri i Pashait, Mulliri i Shabanit, i Xhafos, ka qenë me dy korita, me dy gurë, me dy felaqe, por ky këtu njërin krah, njërin kosh e ka pasur me një histori ku ndizej dritë, por prapë se pse a përse, kjo nuk dihet as sot… Tërë natën o kandili, o feneri mbahej ndezur, se thoshin se këtu rënkon vendi.. Madje një gur në krahun e djathtë të mullirit minollai e fërkonte dhe dukej sikur e qetësonte me këtë gjest, duke pëshpëritur me zë të butë: “Të keqen babai..!” Madje thoshin se, kur bluaje nga korita e krahut të djathtë, mielli se si vinte në shije, si i hidhur dhe nuk kishte duk…
Por mulliri më i vjetër në këtë zonë ka qenë Mulliri i Shehut, që ka lidhje me Vrekajt…
Vende me mullinj, me ullinj, me jabanxhinj… ja kështu ka qenë kjo zonë, kjo grykë nga Molishti, Veleshnja, Çorrosteni, Gjeroveni…
Ndërsa z. Vreko flet, rrëfen, tregon, Fatos Hamzai miraton, megjithëse Fatosi është çerek shekulli më i vogël se Syrjai…
93 vjeçari Sheme Çobo![]()
93 vjeçari Sheme Çobo, Roja i Madh i Çorrostenit, nip i Sadik Çobos nga Mbolani, (për shkak të të cilit u pa vëngër 45 vjet), të pret në katin e dytë të shtëpisë me një ngrohtësi të madhe zjarri, gjë që e ndjen më shumë, sidomos, në një ditë fillim marsi, ditë me një shi që nuk ka të ndaluar.
Sheme Çobo gjendet me shtëpi e katandi, me tokë e me ullishta, pikërisht, në Grykën e Çorrostenit. Ka 6 djem e 3 vajza. Në krah e në këmbë, pranë tij, gjendet, si ngahera, e shoqja, Xhurxhia, nga Rabia e Tepelenës. Është djali, Përparimi dhe nipi, Klajdi, kl.VII. Sheme Çobo i ka bërë të gjitha punët e rënda në këtë jetë të gjatë, por nuk qahet, sepse, siç thotë edhe vetë:
Jeta, or bir, në këtë jetë, më të shumtën, nuk është si të duash, por si të të vijë. Për Shkëmbin e Çorrostenit… Eh, Shkëmbi i Bletës… Ka dhe gjëra që mendja e njeriut nuk i merr dot vesh…
Jorgji Çobanaqit, nga Berati, Shemja i kujton karrocierin nga Veleshnja, nga Gjeroveni, që kur shkonin andej për gardelina, lodheshin e këputeshin, Shemja i merrte në karrocë deri në Goricë, tek Ura e Goricës. Stenë, stena në gjuhën e vjetër të popullit, – thotë Ëngjëll Qato,- janë guva apo strehime kundër shiut, etj, pra një fjalë e përafërt me streha, strehë. Çorrosten, ndoshta do te thote dhe Stena e Zezë.Gazetari Petref Velçani, nip në këto anë, nip Çorrosteni, thotë se fjala ”e zezë” nuk përdoret vetëm në kuptimin e ngjyrës, por edhe të fatkeqesisë: ditë e zezë, fat i zi,etj. Përdoret edhe për objekte apo vende që kanë sjellë zi në fatin e njeriut. Rrugët e thepisura mund të jenë shoqëruar me fatkeqësi të ndryshme, ndoshta kanë marrë edhe jetë njerëzish… Mund të ketë edhe një shpegim të tillë …
Mjaltë me kavo
Agron Çobo, i biri i Sheme Çobos nga Çorrosteni, me të birin Elton, që ka kryer studime për gjuhë-letërsi në Gjirokastër. Të shoqëron në një ditë me shi e nëpër grykën e Çorrostenit, grykë me ngjarje e pamje fantastike, me Shkëmbinj Blete, fanepsje, me bimësi të harlisur me ilqe, dafinë, merekshë, lisbujgër, dëllenjë, xanë, gjineshtër, shkozë, mëllezë, me ujqër, derra, dhelpra, ketra, lepuj, kunadhe, dosbaltë, me pëllumba, skifterë, gjeraqina, cërra, mëllenja, gushkuq, etj. Bashkëbisedues interesant… Peizazh vital…40 vjet të shkuara, thotë Agron Çobo, një grup trevetësh, një traktorist, një tip atleti dhe unë (mua më morën si vendës) shkuam tek Shkëmbi i Bletës me kavo hekuri, një kashune, sqepar, tymse, maskë me qëllim që të merrnim edhe bletën, edhe mjaltin me gjithë hoje, me sotina. Morëm kavo hekuri, se thoshin se me litar bie në greminë, se litari të duket si gjarpër dhe e pret vetë i varuri në shkëmb. Dhe kshtu u bë, u lidh kavoja tek një trung druri dhe u var, i lidhur, atleti ynë me kashune, tymse, sqepar, maskë dhe … kur po zbriste e kapi frika, kavoja iu duk gjarpër, e godet me thikë, përpiqet ta presë, por nuk e pret dot, kavo hekuri… Futet tek një ballkon shkëmbi ku ishte zgjoi, kosherja… Pret hoje, godet ndonjë cep shkëmbi me sqepar, por sqepari i bie nga dora poshtë në greminë dhe bëhët copa-copa.. Trembet nuk largon dot bletën, as e mbledh, por merr mjaltë të përzier me bletë të dëmtuara keq, e mbush kashunen me këtë ujem mjaltë-dzllë-hoje-bletë… E ngjisim lart… Ishte i dërrmuar… Të lodhur… Të larë në djersë… E marrim kashunen, por nuk e provojmë dot mjaltin, as sa për shije… Marrim një kazan dhe e ziejmë, me shpresë se do ta ndajmë mjaltin nga dylli… por ajo që na del, nuk është as mjaltë, as dyll, por një gjë me shije dhe pamje të tmerrshme…. Kur u ktheva në shtëpi dhe i tregova nënës se ku isha, më tha: Shyqyr që shpëtove gjallë, or bir, po pse mjaltin e xhindeve do të merrnit ju?………Po unë, kur kam qenë i vogël,- vijon Agroni, – dhe ruaja delet nga Çorrosten i Vogël apo Çorrosteni i Madh, kam parë mbi Shkëmbin e Bletës që duket si Katedrale një Njeri të Kuq që pastaj u bë Jeshil dhe në fund u bë Blu. Ia tregova nënës. Janë Të Mirët, tha nëna, kurse babai thoshte ndryshe, janë xhindet, se xhindet nuk kanë derman ndryshojnë shumë, edhe shpejt!
Nga Sulo Gozhina![]()
The post Berati mes dy Çorrostenve.. appeared first on .