Prof. Dr. Agron F. Fico Tiranë, 2 shtator 2016
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, për të ardhur keq, në harkun kohor prej një çerek shekulli, ka jetuar e punuar në letargji, ka qenë në hije. Organizimet dhe riorganizimet, debatet e vakëta edhe në ditët e sotme për funksionin e saj, në masmedia, nuk kanë sjellë ndonjë rezultat cilësor dhe, me të drejtë Kryeministri, zoti Edi Rama, pardje në Konferencën e l l-të ndërkombëtare të “Alba-Shkencës” tërhoqi vëmendjen për ngecjen e punëve në këtë Akademi.
Ndryshimet historike që filluan pas vitit 1990 me vendosjen e sistemit pluralist demokratik dhe synimi i madh për përfshirjen në Europën e Bashkuar kërkon padyshim edhe një Akademi shkencash serioze dhe të përgjegjshme për kërkesat dhe besimin e popullit. Shqetësimi qytetar dhe intelektual për punën e anëtarëve të Akademisë dhe vetë Akademinë është i drejtë, është i të gjithëve, është i përgjithshëm, nuk është vetëm i Kryeministrit.
Kryesore është se Akademia e Shkencave si kudo është një institucion i lartë dhe i nevojshëm për zhvillimin ekonomik, kulturor, pra përbën pasuri kombëtare, por edhe për faktin se kjo shtresë e shoqërisë është paguar dhe paguhet nga taksapaguesit shqiptarë; për pasojë duhet të sillet me një ndjenjë më të lartë përgjegjësie dhe të jetë më e përkushtuar në punën dhe misionin shkencor. Për më tepër, të mbajmë parasysh se jemi i vetmi komb që kemi 5 akademi e gjysmë të shkencave: dy në Shqipëri, një në Kosovë, një në Hamburg të Gjermanisë (të quajtur “Akademia e djathtë e Hamburgut), një në Nju Jork dhe gjysmë në Maqedoni (anëtarët shqiptarë të Akademisë Maqedonase të Shkencave). Pra gjithë këto Akademi do të duhej të kishin prodhuar e hartuar vepra dhe programe serioze shkencore për të lehtësuar procesin e përparimit të çështjes kombëtare dhe asaj të zhvillimit ekonomik, që shqiptarët të mos mbeten njerëzit më të varfër të Ballkanit. Akademia e Shkencave e Shqipërisë pothuajse nuk iu është përgjigjur në shkallën e duhur sfidave të mëdha të kohës dhe të kombit, nuk ka qenë në rolin e vet që të ndihmojë zgjidhjen e problemeve dhe sfidave madhore që ka pasur e ka vendi. Le të sjellim një shembull jashtëzakonisht serioz dhe madhor për Shqipërinë. Kërkesa për shkatërrimin e armëve kimike siriane në tokën shqiptare ishte një problem kompleks dhe i vështirë, që përfshinte disa aspekte: politike, mjedisore, shëndetësore, financiare dhe, mbi të gjitha, kërkonte përkrahjen popullore. As dje dhe as sot nuk ka qenë dhe nuk është krejt e qartë se çfarë ishin ato arme siriane kimike (?), lëndë helmuese kimike (?), rreziqet e vërteta, ato mjedisore dhe pasojat shëndetësore etj. Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhet të ishte ajo që të thoshte fjalën e parë dhe të fundit, të thoshte fjalën shkencore dhe me profesionalizëm, për statusin që ka dhe anëtarët më të kualifikuar: mjekë të njohur, studiues të shkencave të natyrore etj., të cilët duhet të kenë edhe integritetin e duhur qytetar. Por është për të ardhur keq që Akademia jonë e Shkencave nuk e mori këtë përgjegjësi, ajo zgjodhi heshtjen dimërore dhe u vu në pozitën e sehirxhiut. Kur u njoftua se Shqipëria nuk do të përfshihej në aksionin për shkatërrimin e lëndëve helmuese luftarake të Asadit, pa dyshim qytetarët e gjithë hapësirës shqiptare me të drejtë pyetën: Po Akademia e Shqipërisë, ku ishte? Pse heshti? Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk duhet të jetë në këtë nivel papërgjegjësie kombëtare dhe qytetare. Ajo duhet të “’reformohet mbi parime bashkëkohore morale demokratike dhe kombëtare, që të përligjë nderin dhe statusin e privilegjuar e të veçantë intelektual e shoqëror. Le të kthehemi tek tematika dhe strategjia kërkimore e Akademisë sonë të Shkencave për problemet tona kombëtare. Nga botimet dhe punimet e botuara nuk duket ndonjë vepër cilësore që të shpjerë përpara arritjet dhe trashëgiminë e gjuhëtarëve të shquar si Eqrem Çabej, Selman Riza, Androkli Kostallari, Mahir Domi etj. Fati i gjuhës shqipe është reduktuar në çështjen e përdorimit të “ë”-së dhe drejtshkrimin e disa fjalëve. Ka përpjekje për ndryshimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit për gjuhën e njësuar shqipe me anë të ca sloganeve bajate politike. Historia e Shqipërisë, sfida për rishikim kapitujsh, për vlerësimin e figurave të harruara, ose të keqtrajtuara është kthyer në një “grindje politike”.
Edhe Konferenca shkencore për 70-vjetorin e Luftës antifashiste Nacional-çlirimtare nuk e kapërceu dot këtë “grindje politike” dhe me theks partiak, që u shfaq në kumtesat e mbajtura. Botimi i Fjalorit enciklopedik nga Akademia e Shkencave provoi se ishte botim shokësh e miqsh, pa ndonjë vlerë dhe kontribut, duke lënë jashtë figura të njohura dhe me prurje të njohura shkencore, publike dhe shoqërore, pra një botim me kritere kaotike. Akademia e Shkencave nuk ka bërë asnjë përpjekje serioze shkencore për një botim kritik rreth letërsisë së krijuar në periudhën e sistemit totalitar, e njohur si letërsia e realizmit socialist. Nuk ka zbuluar rolin negativ që ka luajtur estetika marksiste si kodi normativ i vlerave krijuese dhe i kritikës për letërsinë dhe artet. Estetika marksiste sovjetike ka qenë ushqimi shpirtëror i mjaft studiuesve, krijuesve dhe kritikëve, disa prej tyre ende nuk janë shkëputur nga këto koncepte. Gjatë këtyre 26 viteve ka lindur edhe është zhvilluar një letërsi e re në përmbajtje dhe që synon të pasqyrojë dinamikën e shoqërisë së tranzicionit dhe kontradiktave të saj. Ende nuk ka ndonjë studim serioz për proceset e reja letrare, me anët e mira dhe të dobëta. Traditat kulturore, ky thesar kombëtar, vazhdojnë të trajtohen herë-herë me kriteret e estetikës moniste, ose edhe në mënyrë të thjeshtëzuar komerciale.
Ka disa muaj që në masmedia diskutohet për disa çështje të etnokulturës dhe specifikisht për të kënduarit shumë-zërash, që është nderuar edhe nga UNESCO si pasuri gojore botërore, por ende nuk ka ndonjë tryezë shkencore për të shpënë përpara zgjidhjen shkencore të shqetësimeve që shprehen në këto debate dhe shkrime. Rilindja e Akademisë së Shkencave mund të arrihet vetëm mbi një bazë të re, atë të filozofisë perëndimore-amerikane. Mendimet e shprehura nga disa akademikë në masmedia, se ndreqja e punëve në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë bëhet duke gjetur një strukturë tjetër, ose duke ribashkuar disa institute etj., pa mohuar edhe riorganizime të caktuara, janë qasje që nuk ndryshojnë dot status kuonë e këtij institucioni kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Varianti më i përshtatshëm për kushtet e vendit tonë do të ishte jo krijimi i një institucioni gjithëpërfshirës, por atij specifik të veçantë, pra i një Akademie të Shkencave Albanologjike që të përfshijë fushat: gjuhë shqipe, histori shqiptare, letërsi, kulture popullore, arkeologji, monumentet e kulturës. Ndërsa degë të tjera të shkencave të përfshihen në njësi mësimore universitare, ose edhe në ndonjë institut të veçantë.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë do të kishte dobi po të arrinte të kapërcente frikën e “njollosjes” nga mendimet dhe debatet që bëhen, qofshin këto edhe kritike e ndonjëherë të tejskajshme. Reagimi i ish-Sekretarit Shkencor të Akademisë, zotit Bushati, si dhe “Sqarimi i Këshillit Ekzekutiv të Akademisë së Shkencave…” (2 shtator 20 16) pikërisht këtë tregoi, “mbrojtjen” e institucionit nga opinionet e shprehura dhe jo ndonjë argument serioz për përmirësimin e punëve në këtë institucion.
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i ka munguar dëshira e bashkëpunimit me Akademinë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Nju Jork, që do të sillte një përfitim të dyanshëm. Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur dhe ka studiues, specialistë të njohur të fushave të ndryshme të kulturës dhe të gjuhës shqipe. Aty jetuan edhe punuan personalitetet e mëdha të kombit shqiptar Fan Noli dhe Faik Konica, por ka pasur edhe ka edhe mjaft personalitete të shquara si Prof. Peter Prifti, Arshi Pipa, Stavro Skëndi etj. dhe sot si biologun e njohur dhe njëherazi albanolog Nelson R. Çabej, vepra madhore e të cilit Epigenetic Principles of Evolution është vlerësuar nga katedra të njohura në Amerikë dhe është botuar sërish, doktor Adem Harxhin, autorin e mjaft botimeve serioze shkencore dhe publicistike, skenografin e përkushtuar Astrit Tota, Illo Foton, studiues dhe publiçist. Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve, nën drejtimit e psikiatrit të njohur Prof. Dr. Skënder Kodra, ka krijuar lidhje bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Kosovës, në radhët e saj ka edhe studiues nga Kosova. Madje ka në radhët e saj akademikë shqiptarë nga Maqedonia.
Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve në Nju Jork ka organizuar edhe konferenca të mirëfillta shkencore si ajo për 600-vjetorin e lindjes së Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, që u vlerësua gjerësisht nga masmedia shqiptare dhe ajo amerikane. Një nder i veçante i takon këtij institucioni edhe për organizimin pas një pune përgatitore 2-vjeçare të Konferencës shkencore kushtuar 70-vjetorit të shkrimtarit të madh, Ismail Kadaresë. Më e rëndësishmja është se tashmë në Amerikë, në shekullin e XXI, ka lindur dhe është krijuar një shtresë intelektuale shqiptare nga fushat e ndryshme të shkencës dhe kulturës, që kanë fituar me punë tituj e grada shkencore dhe që nderohen. Ky do të ishte një kontingjent me vlerë edhe për Akademinë tonë të Shkencave në Tiranë, po t’i njihte dhe t’i vlerësonte. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës funksionon shoqata e mjekëve shqiptarë, që shërben si tribunë e afrimit kombëtar, por mbi të gjitha atij profesional. Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Nju Jork ka në gjirin e vet mjaft talente, që kanë botuar nga disa libra etj. Studiues të shquar, padyshim, ka edhe në Diasporat e reja shqiptare në Itali, Greqi, Gjermani, Zvicër, Belgjikë etj.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë duhet të bëhet qendra e të gjithë këtij brezi studiues të kësaj Diaspore europiane-amerikane, por ajo, në radhë të parë të dalë nga përgjumja, që të meritojë nderimin si institucion i mirëfilltë shkencor kombëtar.
The post AKADEMI SHKENCASH, JO INSTITUCION I PËRGJUMUR appeared first on .