DËSHTIMI I VOTIMIT NË KUVEND, FUNDI I KOALICIONIT PDK-LDK
Kur u pranua e ashtuquajtura “Pako e Ahtisarit”, për pavarësimin (njohjen ndërkombëtare) të shtetit të Kosovës, të gjithë liderët partiak dhe shtetëror të asaj kohe patën deklaruar njëzëri; Ky është kompromisi i dhimbshëm për pavarësimin e shtetit, nga i cili nuk do të lëvizet tutje me kompromise të reja…”
Mirëpo, përkundër atyre deklarimeve, kompromiset në dëme të Kosovës ngarendën njëri pas tjetrit, duke filluar me 6 pikat e Ban Kimunit, decentralizimin etnik (sipas orekseve serbe), …për të vazhduar me bisedimet e Brukselit, të cilat prodhuan Asociacionin e komunave (“Zajednicën) serbe e deri tek Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.
Të gjitha këto projekte ndërkombëtare u bënë për të kënaqur orekset serbo-malazezo-maqedone në dëme të shqiptarëve,…të cilat u pranuan lehtësisht nga liderët e korruptuar shtetëror të Kosovës, …duke u thirrur si gjithnjë në emër të “forcimit” të shtetit, liberalizimit të vizave dhe integrimeve europiane.
Të gjitha këto, përveçse hipokrizi qeveritare, na dolën të jenë farsë dhe alibi diplomatike perëndimore, për të mbajtur Kosovën e martirizuar dhe të izoluar nga bota e lirë dhe demokratike, papërspektiva zhvillimore, me rrezikshmëri permanente të shpërthimit të “bombës sociale” si produkt i krizës së thellë politike dhe sociale në vend.
Ndryshe, analizuar pak më thellë situatën e viteve të fundit në Kosovë, e tëra çfarë ka ndodhë, ishte dhe është një skenar i përgatitur i qarqeve proserbe për destabilizimin e Kosovës, përmes obstruksioneve të vazhdueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe invazionit politik të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.
Tërheqja qyqare e kryeministrit Mustafa
Atëherë, kur çdo gjë ishte gati për (mos) votimin e Marrëveshjes se Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në foltore u paraqit kryeministri kukull, i cili e bëri publik vendimin e tij për tërheqje nga rendi i ditës të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, duke e arsyetuar me mungesën (kushtëzimin) e Listës “Srpska” në seancën e kuvendit.
Përveç vasalitetit të kryeministrit, pushteti e vërtetoi mungesën e numrave në kuvend dhe kredibilitetin e kësaj qeverie, e cila në asnjë variant nuk e meriton të shkoi tutje me qeverisjen e vendit.
Dështimi i sotëm në votimin e variantit qeveritar të Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është delegjitim total i Qeverisë Mustafa dhe koalicionit qeverisës PDK-LDK.
Tërheqja nga ana e kryeministrit Mustafa nga rendi i ditës, të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, nën arsyetimin e mungesës (kushtëzimit) të Listës “Srpska” në seancën e kuvendit, përveç pozitës nënshtruese dhe vasalitetit të kryeministrit, e tregoi dështimin e qeverisë përballë listës “Serpska” dhe vërtetoi dështimet dhe gabimet e komisionit qeveritar në demarkimin e kufirit me Malin e Zi, …mungesën e numrave dhe kredibilitetin e fundosur të kësaj qeverie kuislingë, e cila në asnjë variant nuk e meriton të shkoi tutje me qeverisjen e vendit.
Në rrethanat e krijuara, e vetmja dalje nga situata e rënduar politike janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, në afatin ligjor prej 45 ditësh, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, si nevojë imediate për nxjerrjen e një qeverie kredibile, …të pastër dhe të guximshme për largimin njëherë e përgjithmonë nga skena politike të kësaj klase të dështuar politike dhe sejmenëve të tyre nga institucionet shtetërore.
Le të jetë ky, fundi i kompromiseve politike në dëme të shtetit dhe qytetarëve të vendit. Lavdi e përjetshme të gjithë deputetëve, ekspertëve ligjor dhe qytetarëve të vendit, që me mendjet dhe trupat e tyre dolën në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës.
Nderi dhe krenaria u takon të gjithë atyre, që në mënyra të ndryshme, nuk u ndalen së kundërshtuari variantin qeveritar të demarkacionit, shpeshherë duke rrezikuar edhe qenien e tyre fizike.
Sot me 1 Shtator 2016, përfundimisht u mund tradhëtia nga atdhedashuria, u ndal e keqja e madhe, …do të mbetët ky shembulli më i mirë dhe udhërrëfyes për gjeneratat e e reja, se si mbrohet sovraniteti dhe integriteti i vendit nga papërgjegjësia dhe tradhtia kombëtare e liderëve shtetëror.
Nga sot, 1 Shtator 2016, kurora e panatyrshme qeverisëse PDK-LDK, pashmangshëm do të shkoi drejt shkurorëzimit, si rezultat i mosbesimit në njëri-tjetrin, mospërmbushjen e premtimeve elektorale, kapjes së shtetit, dështimit të përbashkët në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit në vend dhe mospërmbushjes së obligimeve ndërkombëtare në raport me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.
*****
(boss)
Photo: Kurora e panatyrshme qeverisëse PDK-LDK, a po shkon drejt shkurorëzimit???
— me Florim Zeqa.
The post DËSHTIMI I VOTIMIT NË KUVEND, FUNDI I KOALICIONIT PDK-LDK appeared first on .